Qafë Thanë – Ndalohet një 35-vjeçar, i dënuar me 10 vite burg për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.

Policia Kufitare si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe falë bashkëpunimit me Interpol Tiranën, evidenton dhe arreston me qëllim ekstradimi një shtetas maqedonas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore kroate.

Në kuadër të masave të shtuara dhe analizës së rriskut, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Thanës, gjatë përpunimit të detajuar të dokumentacionit në hyrje të Republikës së Shqipërisë, të shtetasit T. J., konstatuan se autoritetet gjyqësore kroate me vendimin e datës 26.08.2015, e kanë dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, parashikuar nga Kodi Penal Kroat. Ky shtetas në vitin 2018, është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë në bashkëpunim me specialistët për hetimin e krimit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar T. J., 35 vjeç, banues në Gostivar, Maqedoni e Veriut.

Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.