Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për kontrabandë dhe mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Sekuestrohen vlera monetare, aparate celularë, kondicionerë dhe veshje të ndryshme.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu edhe në hyrje, në Portin e Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, autobusi me drejtues shtetasin I. F.
Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Pikën e Kalimit Kufitar Port, Durrës, në autobus janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
30000 paund, 78730 euro, 545 aparate celularë të markave të ndryshme, 2 kondicionerë, goma kamioni dhe automjeti, si dhe pako me veshje të ndryshme.
Në vijim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit, shtetasi I. F., 41 vjeç, banues në Vlorë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.