Policia Rrugore e Shkodrës/Monitorim intensiv i qarkullimit, me pajisje inteligjente

📍Policia Rrugore e Shkodrës/Monitorim intensiv në të gjitha akset e qarkut, për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut.

Ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Shkodrës janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara, tejkalojnë normat e shpejtësisë, përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, nuk vendosin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse, si dhe kryejnë shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të ushtruara gjatë dy javëve, janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 8 shtetas, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 2006 masa administrative, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:

* 48 masa për parakalime të gabuara;
* 478 masa për tejkalim të normave të shpejtësisë;
* 15 masa për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike;
* 42 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
* 8 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
* 30 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
* 5 masa për qarkullim me xhama të errësuar;
* 1069 masa për parkim ose qëndrim të gabuar;
* 311 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet e Policisë Rrugore të Shkodrës do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

#ZbatoRregullatEQarkullimit #MbroJetën #RespektoKëmbësorët