Përmbledhja javore, 3-10 prill 2022

Vijojnë operacionet policore kombëtare dhe ndërkombëtare, për goditjen e krimit të organizuar, krimeve ndaj personit, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo të atyre të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, për goditjen e krimeve mjedisore, lojërave të fatit, krimeve ekonomike, dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe për garantimin e rendit e sigurisë në territor.

• Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 576 persona, nga këta: 181 janë arrestuar, 362 janë proceduar penalisht dhe 33 janë shpallur në kërkim.

• Janë kapur në total 43 persona në kërkim, nga këta: 31 në kërkim kombëtar dhe 12 në kërkim ndërkombëtar.

• Janë zhvilluar 33 operacione policore të koduara: “The last”, “Money scam”, “Zall-Herr”, “Paskuqani”, “Pacienti”, “Rada”, “Dark”, “Yrsheku”, “Vila”, “Bills”, “Trick”, “Unaza”, “Bergamo”, “Grand Tour”, “Basti i fundit” (2 raste), “Informaliteti”, “Green Forest”, “Restart 6”, “Dimal”, “Stacioni”, “Premtimi”, “Unexpected”, “Compass”, “Road guard 12”, “Attempt”, “Call me 3”, “Thumana”, “Fati i lojërave”, “Identiteti”, “Nightwalker”, “Triple” dhe “Five”.

• Janë zhvilluar 2 operacione ndërkombëtare, me pjesëmarrje të FAST Albania dhe të strukturave të tjera të Policisë së Shtetit.

• Për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike janë zhvilluar 2 operacione, gjatë të cilëve janë shkatërruar 10 sera me fidanë kanabis dhe janë sekuestruar qindra fara kanabis.

• Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 16 raste dhe janë sekuestruar 14 armë zjarri, 1 armë sportive, 10 thika, municion luftarak etj.

• Gjithashtu, gjatë operacioneve janë sekuestruar rreth 80 kg cannabis, dhjetëra doza cannabis, rreth 1 kg heroinë, sasi kokaine, 12 automjete, 12 celularë, 6 makineri për lojëra fati, shuma të konsiderueshme parash, euro të dyshuara të falsifikuara dhe mallra kontrabandë.

• Është parandaluar 1 ngjarje kriminale, janë goditur 13 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë dhe janë ndjekur ligjërisht 53 raste të dhunës në familje.

• Janë evidentuar dhe goditur 15 raste të krimeve mjedisore, 12 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 11 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

• Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 34 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 42 raste.

•Janë zbardhur 4 raste të zjarrvënies, me 4 autorë, nga të cilët: 1 i arrestuar dhe 3 të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Policia Rrugore:

• Gjatë kësaj jave janë pezulluar 347 leje drejtimi, nga të cilat: 228 për tejkalim shpejtësie, 75 për drejtimi mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 44 për qarkullim në sens të kundërt.

•Janë arrestuar 57 drejtues mjetesh, nga këta: 32 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 25 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

•Janë vendosur 16.135 masa administrative dhe janë goditur 6 raste të korrupsionit aktiv ndaj punonjësve që ushtrojnë funksione publike.

Policia Kufitare:

• Gjatë kësaj jave janë kapur 18 persona në kërkim, nga të cilët 10 në kërkim kombëtar dhe 8 në kërkim ndërkombëtar.

• Janë proceduar në gjendje të lirë 10 persona për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, 5 persona për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 9 të tjerë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”.

•Janë sekuestruar 16.930 euro dhe janë goditur 2 raste të mitëdhënies.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është në shërbim të tyre dhe në zbatim të ligjit, e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe goditur krimin e paligjshmërinë, si dhe për të bashkëpunuar me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Denonconi në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë!