DVP Elbasan – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim

Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim.
Nga shërbimet e Forcës Operacionale në DVP Elbasan, falë shkëmbimit të informacionit me strukturat e DVP Korçë, është kapur shtetasi Kristjan (Aurel) Spahi, 46 vjeç, banues në Korçë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Korçë, më datë 03.07.2009, e ka dënuar me 9 vjet burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur dhe 7 vjet e 8 muaj burgim.
Ky shtetas i ka kaluar strukturave të DVP Korçë, për veprime të mëtejshme.
Nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, falë shkëmbimit të informacionit me strukturat e DVP Gjirokastër, është bërë e mundur kapja e shtetasit A. S., 30 vjeç, banues në lagjen “Beqir Dardha”, Elbasan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga DVP Gjirokastër, më datë 07.04.2022, për veprën penale “Vjedhja”, pasi dyshohet se ka vjedhur disa orendi shtëpiake në një banesë ku jetonte me qira, si dhe nuk i ka bërë pagesën e qirasë pronarit të banesës, shtetasit M. L.
Ky shtetas i ka kaluar Komisariatit të Policisë Tepelenë, për veprime të mëtejshme.