Policia e Shtetit, masa të shtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së pronës në zonat e prekura nga tërmeti por edhe në të gjithë territorin e vendit.

Policia e Shtetit, krahas angazhimit me përkushtim e sakrificë në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe përballimit të situatës së krijuar si pasojë e tërmetit, me të njëjtin seriozitet dhe përkushtim vijon zbatimin e masave të marra për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së pronës në zonat e prekura nga tërmeti por edhe në të gjithë territorin e vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka urdhëruar që në ndihmë të DVP Durrës të shkojnë një numër i konsiderueshëm forcash të Policisë nga DVP Tiranë, si dhe të vijojnë patrullimet dhe ruajtjen e objekteve me rrezikshmëri edhe efektivë të FNSH-së Tiranë, Fier e Shkodër

Në çdo lagje të qytetit dhe në të gjitha zonat të cilat janë prekur nga tërmeti, ka patrullim të pandërprerë nga punonjësit e Policisë .

Ndërsa në të gjitha objektet që janë rrethuar me shirita por janë gjysmë të rrënuara, apo të dëmtuara ka shërbim 24 orë me qëllim parandalimin e vjedhjeve duke përfituar nga situata e krijuar dhe mos lejimin e futjes së banorëve për shkaqe sigurie për jetën e tyre

Policia e Shtetit garanton qytetarët dhe veçanërisht ata të Durrësit dhe Thumanës, se është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë dhe për të parandaluar vjedhjen e pronës.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.