Policia e Shtetit
Gjatë këtyre 24 orëve:
-20 shtetas janë vënë në pranga;
-5 armë zjarri, 500 g eksploziv, 20 kg kanabis, 1153 fara kanabisi, 1 armë gjahu, municion luftarak dhe veshje të Policisë, janë sekuestruar si rezultat i disa aksioneve policore me impakt të rëndësishëm për komunitetin.
Operacioni “Strike” parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale në Vlorë dhe vuri në pranga një 23-vjeçar të dyshuar si pjesëtar të një grupi kriminal. I arrestuari fshihte në banesë eksploziv me telekomandim në distancë, disa armë dhe veshje si të Policisë, që dyshohet se do t’i shërbenin këtij qëllimi kriminal.
Operacioni “Perondi”, nga DVP Berat, goditi një sërë veprimtarish kriminale. 23-vjeçarit të arrestuar iu gjetën në banesë, sasi të konsiderueshme lënde narkotike dhe farash kanabisi, 1 pistoletë dhe 1 pushkë.
Falë inteligjencës operative, në Vorë u finalizua operacioni “Rrethi” që rezultoi me prangosjen e një 39-vjeçari që qarkullonte me pistoletë në kroskotin e automjetit të tij.
Operacioni “Metoda”, në Fier, vuri në pranga 2 shtetase, autore të dyshuara të mashtrimit të disa qytetarëve. E arrestuara kryesore e kryente këtë krim, përmes celularit, teksa ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, po për mashtrim dhe falsifikim.
Në Bulqizë u vu në pranga një 44-vjeçar që dhunoi ish bashkëshorten e tij dhe shkeli urdhrin e mbrojtjes të dhënë ndaj saj.
Puna policore për parandalimin dhe goditjen e krimeve, vijon pandërprerë, në çdo qark të vendit.