Policia e Shtetit/Finalizohet faza e 90-të e operacionit të koduar “Operacionalja”

Policia e Shtetit

Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet faza e 90-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

I dënuar në Itali me 5 vjet, 11 muaj e 14 ditë burg për trafikim të narkotikëve dhe vjedhje në rrethana rënduese, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, 51-vjeçari.

Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi të dënuar në Itali, organizuan dhe finalizuan fazën e 90-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

Në kuadër të kësaj faze, në Tiranë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Ylli Misku, 51 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit Bologna, Itali, në korrik të vitit 2022, e ka dënuar me 5 vjet, 11 muaj e 14 ditë burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhje në rrethana rënduese”.

Arrestimi i tij u krye me qëllim ekstradimi drejt Italisë.