Poliçan/Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, i zbuluar si rezultat i hetimit proaktiv.

Arrestohet autori, i cili kishte kultivuar 107 bimë narkotike dhe 20 kubikë me fidanë të dyshuar Cannabis sativa, në fshatin Zgërbonjë.

Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i hetimit proaktiv dhe kontrolleve të pandërprera në të gjithë territorin e qarkut Berat, shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të territorit në fshatin Zgërbonjë, shërbimet e Policisë konstatuan 107 bimë narkotike dhe 20 kubikë me fidanë të dyshuar Cannabis sativa, të cilat u asgjësuan në vend, nëpërmjet djegies.

Nga veprimet hetimore të kryera me metoda proaktive u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit R. I., 38 vjeç, banues në Poliçan, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve narkotike.

Kontrollet antikanabis vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Berat, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale në këtë fushë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.