Pogradec – Goditet një rast i dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve dhe 1 rast tjetër i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla

Vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e dyshuar të tyre.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Sh., 23 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë dhe shpallën në kërkim shtetasin Sh. K., 25 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e policisë kanë konstatuar në qytetin e Pogradecit, shtetasin F. Sh., duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, pa leje drejtimi, brenda të cilit u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit ju ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezulton se i implikuar në këtë ngjarje ishte edhe shtetasi tjetër Sh. K., që kryente kontrollin e rrugës, i cili kur ka konstatuar se ishte në ndjekjen e policisë ka braktisur mjetin e tij tip “Toyota”. Nga ana e policisë, po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e 25-vjeçarit.
———
Gjithashtu po nga strukturat e mësipërme, u godit një rast i shpërndarjes së drogave të forta, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit  E. D., 36 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi B. S., 30 vjeç, banues në Pogradec.

Forcat e policisë nga informacione të siguruara në rrugë policore se këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, organizuan shërbimet dhe lokalizuan shtetasin E. D., në lagjen nr. 1, Pogradec, gjatë kontrollit fizik të të cilit, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Po punohet për kapjen e shtetasit B. S., dhe vënien e tij para përgjegjësisë penale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.