Operacioni nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për goditjen e paligjshmërisë.
Ushtronte aktivitetin e paligjshëm të piraterisë, duke fshehur edhe të ardhurat e përfituara nga ushtrimi i tij, por arrestohet në flagrancë nga Policia.
Sekuestrohen 11500 euro, 2 milionë lekë të vjetra, pajisje dhe karta abonimi të kompanive televizive.
Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shkelësve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, finalizuan operacionin policor të koduar “Pirateria”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
A. A., 37 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.
Arrestimi i tij u bë pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi i mësipërm, duke qenë i palicencuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), si dhe duke shfrytëzuar piraterinë, kryente abonime për paketa të ndryshme televizive, kundrejt fitimit.
Vlerat e përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, shtetasi A. A., nuk i kishte deklaruar pranë organeve tatimore, duke kryer fshehje të ardhurash. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, në mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, si edhe në banesë, iu gjetën 11500 euro, 2 milionë lekë të vjetra, një laptop, karta abonimi të disa kompanive televizive, si edhe module dekoderash, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.