Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 mars 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kakavijë – Masa të shtuara nga ana e Policisë Kufitare, për kontroll të imtësishëm ndaj automjeteve dhe qytetarëve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e  paligjshmërisë. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm dhe intervistimit të thelluar, kapen dhe ndalohen dy shtetas të shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Dhuna në familje”. Po si rezultat i kontrollit të imtësishëm dhe në bazë të riskut, është goditur një rast i kontrabandimit të cigareve nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Gjithashtu, gjatë një jave janë kthyer mbrapa 29 shtetas shqiptarë që nuk plotësonin kushtet e lëvizjes në hapësirën SCHENGEN. Po nga Policia Kufitare e Kakavijës janë ndëshkuar me masë administrative gjobë, 21 shtetas shqiptarë, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe shkelje të ligjit për kontrollin kufitar. Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, si rezultat i intervistimit të thelluar, kanë bërë të mundur zbulimin e identitetit të vërtetë të një shtetasi që ishte i shpallur ë kërkim, duke e vënë në pranga, konkretisht shtetasin A. K., 49 vjeç, banues në Vlorë. Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Ngjarje e ndodhur në datë 22.04.2018, ku shtetasi i mësipërm, duke qenë drejtues autobusi  i një linje me shtetin grek, ka tentuar të trafikojë në shtetin grek, 1 kg lëndë narkotike kokainë. Ky shtetas, në momentin e kontrollit nga Policia, ka braktisur autobusin dhe është larguar në një zonë të pyllëzuar në territorin e doganës greke. Si dhe u kap shtetasi D. V., 42 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në muajin shkurt 2020,  ka caktuar  për këtë shtetas, masën e sigurisë në mungesë, “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”. Po si rezultat i kontrolleve bazuar edhe në analizën e riskut, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit në vijën e dytë në SPK Kakavijë, të mjetit në pronësi të shtetasit  I. A., nga fshati Vrisera, gjetën në gomën rezervë 140 paketa cigaresh kontrabandë, të cilat po i transportonte nga Shqipëria për në Greqi. Paketat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Shtetasi I. A. u arrestua në flagrancë, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”. Policia Kufitare po vijon me intensitet kontrollet në pikën e kalimit dhe në kufirin e gjelbër, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në bashkëpunim me FRONTEX-in, për të parandaluar hyrjen e  paligjshme të shtetasve nga vendet e treta.

Pogradec – Finalizohet operacioni policor i koduar “Pirateria”. Operacioni nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për goditjen e paligjshmërisë. Ushtronte aktivitetin e paligjshëm të piraterisë, duke fshehur edhe të ardhurat e përfituara nga ushtrimi i tij, por arrestohet në flagrancë nga Policia. Sekuestrohen 11500 euro, 2 milionë lekë të vjetra, pajisje dhe karta abonimi të kompanive televizive. Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shkelësve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, finalizuan operacionin policor të koduar “Pirateria”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. A., 37 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec. Arrestimi i tij u bë pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi i mësipërm, duke qenë i palicencuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), si dhe duke shfrytëzuar piraterinë, kryente abonime për paketa të ndryshme televizive, kundrejt fitimit. Vlerat e përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, shtetasi A. A., nuk i kishte deklaruar pranë organeve tatimore, duke kryer fshehje të ardhurash. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, në mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, si edhe në banesë, iu gjetën 11500 euro, 2 milionë lekë të vjetra, një laptop, karta abonimi të disa kompanive televizive, si edhe module dekoderash, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 1 është ndaluar dhe 63 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Berat; 2 raste të  “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja, mbetur në tentativë”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Vlorë dhe 1 në Shkodër,  ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 2 në Tiranë dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 5 raste, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Korçë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.