Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes DPPSH dhe DPSHTRR

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor

I nderuar z. Blendi Gonxhe,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Të nderuar pjesëmarrës,

Marrëveshja e sotme ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor është shumë e rëndësishme, pasi qëndron në funksion dhe në themel të rritjes së sigurisë së jetës.

Siguria rrugore është një ndër prioritetet absolute të punës së Policisë së Shtetit dhe për këtë ne jemi angazhuar me seriozitet duke investuar në logjistikë dhe trajnime të punonjësve të Policisë. Angazhimi ynë është përqendruar edhe në drejtim të sensibilizimit të përdoruesve të rrugës, në mënyrë që ata të jenë vetë kontribuesit pozitivë në rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.

Vlen të theksohet se siguria rrugore nuk është vetëm detyrë e Policisë së Shtetit, as e disa institucioneve, por është një detyrë e obligim personal i gjithsecilit, pasi çdo qytetar është kontributor në funksion të sigurisë së jetës dhe shëndetit në rrugë.

Ndaj dhe sot nënshkruajmë këtë Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila ka për qëllim forcimin e ndërveprimit ndërmjet dy institucioneve, si dhe intensifikimin e përpjekjeve për rritjen e sigurisë rrugore në vend.

Marrëveshja, ndër të tjera, synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional, kapacitetet organizative dhe profesionale, si dhe angazhimet e secilit institucion përkatës, me qëllim përmirësimin e shifrave dhe rezultateve në nivel lokal dhe kombëtar.

Ky bashkëpunim do të shërbejë gjithashtu për vendosjen e një ekuilibri ndërmjet masave parandaluese lidhur me shkeljet e përdoruesve të rrugës dhe të ligjshmërisë rrugore, përmes ndryshimeve të kuadrit ligjor dhe edukimit të grupeve specifike të interesit.

Marrëveshja e bashkëpunimit bazohet në ndërveprimin, trajnimin dhe shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet kapaciteteve në burime njerëzore, në kontrolle të përbashkëta në terren, shkëmbim informacioni në kohë reale, në mbështetjen për forcimin e edukimit rrugor dhe zhvillimit të aktiviteteve për sigurinë rrugore.

Unë besoj se në këtë frymë bashkëpunimi e koordinimi nismash dhe veprimesh ndërmjet institucioneve dhe përmes kontributit nga të gjithë përdoruesit e rrugës, rezultatet pozitive do të jenë të pritshme dhe të padiskutueshme. Për më tepër, kur ky rezultat favorizon rritjen e sigurisë së jetës në rrugë dhe jo thjesht ashpërsimin e masave ndëshkimore, atëherë mund të themi se kemi bërë gjënë e duhur.

Në funksion të përmbushjes së këtij prioriteti, Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të pajisur shërbimet e Policisë Rrugore, me mjete dhe pajisje të teknologjisë bashkëkohore. Së fundmi janë vënë në përdorim makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët dhe kamerat.

Gjithashtu është institucionalizuar dhe funksionon si një aset i çmuar i Policisë së Shtetit, struktura e Komisariatit Dixhital. Falë besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët, punonjësit e Policisë përballen çdo ditë me dhjetëra denoncime nga i gjithë vendi, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Të gjithë këto masa, bashkëpunime ndërinstitucionale dhe kontributi qytetar kanë dhënë frytet e veta duke ulur kështu numrin e aksidenteve me pasojë jetën. Po t’u referohemi statistikave, vitin e kaluar është shënuar ulje e aksidenteve me pasojë vdekjen.

Pavarësisht si flasin rezultatet dhe përmirësimit të dukshëm të statistikave, ka ende shumë për të bërë në drejtim të sigurisë rrugore.

Ndaj unë qëndroj shumë i vendosur dhe i angazhuar për ta modernizuar me logjistikën e nevojshme dhe bashkëkohore Policinë Rrugore. Për të trajnuar dhe rinovuar moshën e punonjësve të Policisë Rrugore dhe për të bashkëpunuar edhe më intensivisht me qytetarët në radhë të parë dhe me institucionet e tjera gjithashtu, veçanërisht me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, me Autoritetin Rrugor Shqiptar, si dhe me institucionet arsimore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia e Shtetit do të marrë masën më ekstreme ndaj cilitdo punonjës policie që abuzon me uniformën më të shenjtë të Republikës, uniformën e Policisë së Shtetit që është simboli i sigurisë dhe jetës së qytetarëve.

Së fundmi, falënderoj z. Gonxhe, për këtë frymë bashkëpunimi dhe përfitoj nga rasti të ftoj sërish aleatin tonë kryesor, qytetarët, që të shfrytëzojnë në interes të sigurisë së jetës një shërbim teknologjik efikas, siç është Komisariati Dixhital, për të denoncuar çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Faleminderit!