Mirditë/Goditet një rast tentative për të kultivuar bimë narkotike

Mirditë/Zhvillohet operacioni i koduar “Faza fillestare”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Gjenden në pyll, në një miniserë të improvizuar me platforma polistiroli, dhe asgjësohen fidanë Cannabisi.

Arrestohet në afërsi të miniserës, autori i dyshuar i kultivimit të fidanëve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, si rezultat i kontrolleve, hetimeve me metoda proaktive dhe punës operative, kryer me objektiv konstatimin që në fazë të hershme dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, zhvilluan operacionin e koduar “Faza fillestare”.

Në kuadër të operacionit, në fshatin Dardhëz, në zonë të pyllëzuar, u gjetën në një miniserë të improvizuar, disa platforma polistiroli në të cilat ishin kultivuar fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap në afërsi të vendit ku u gjetën fidanët, dhe u vu në pranga autori i dyshuar i kultivimit të tyre, shtetasi K. Gj., 27 vjeç, banues në fshatin Shënkoll, Lezhë.

Kontrollet kundër kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë në të gjithë territorin e qarkut.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.