Operacioni nga DVP Gjirokastër në bashkëpunim me DVP Durrës
Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vjedhjes me dhunë e banesës së shtetasit H. R., ndodhur në Memaliaj, mbrëmjen e datës 04.01.2020.
Vihen në pranga 3 nga autorët, si dhe 1 tjetër shpallet në kërkim.
Sekuestrohen 1 automjet, një pjesë e lekëve të vjedhura dhe 4 celularë.
Gjithashtu, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan dy doza me lëndë narkotike kokainë.
DVP Gjirokastër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, Stacionin e Policisë Memaliaj, Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe DVP Durrës, pas një pune të mirëorganizuar hetimore për zbardhjen, dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vjedhjes me dhunë të banesës së shtetasit H. R., finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “ETALON”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit: E. A., 23 vjeç, A. R., 22 vjeç dhe F. R., 28 vjeç, banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim 1 shtetas tjetër dhe vijon puna për kapjen e tij.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 04.01.2020, kanë hyrë në banesën e shtetasit H. R., në Memaliaj, ku kanë vjedhur me dhunë një sasi lekësh.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, një pjesë e lekëve të vjedhura dhe 4 celularë. Gjithashtu, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan dhe dy doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Zbardhja e ngjarjes në kohë, si dhe kapja e autorëve, u bë falë një pune të mirëorganizuar nga një grup i posaçëm hetimor i DVP Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, si dhe bashkëpunimit mjaft të mirë me DVP Durrës.
Ky grup, me pseudonimin “Etalon”, dyshohet se ka kryer dhe një sërë vjedhjesh të tjera në qarqe të ndryshme, për të cilat vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotike”.