Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Durrës – Policia e Durrësit parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale. Marrja në kohë e informacionit dhe reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga një 33-vjeçar, i cili hyri me armë zjarri në një lokal. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit kallashnikov, me 2 karikatorë me municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë informacion se në lagjen nr. 13, në Durrës, një shtetas mbante të fshehur poshtë xhupit një armë zjarri kallashnikov dhe po futej në ambientet e një restoranti. Menjëherë u organizua puna nga shërbimet e Policisë, të cilët falë reagimit në kohë dhe profesionalizmit bënë të mundur kapjen e personit, pa shkaktuar pasoja, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. B., 33 vjeç, banues në Kavajë, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe dhunës në familje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor “RESTART”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza. Vihen në pranga 4 shtetas. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të bëra gjatë vitit 2019, për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së drogave në doza të vogla, si dhe në zbatim të planit të masave të hartuar për këtë qëllim, shërbimet e Komisariat të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “RESTART”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. N., 19 vjeç, A. T., 19 vjeç, M. Gj., 22 vjeç dhe J. P., 18 vjeç, të katërt lindur dhe banues ne  Rrëshen. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa të rinj po shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zonën e Kamzës, Patrullat e Përgjithshme të Komisariat të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë ushtruar kontrolle në disa ambiente dhe automjete. Gjatë kontrollit të ushtruar në  automjetin që drejtohej nga shtetasi G. N., me pasagjerë shtetasit A. T., M. Gj. dhe J. P., Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash me lëndë narkotike, të dyshuar kokainë, të futura në qese farmaceutike gati për shitje, gjithsej 11.2 gr., të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Memaliaj – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ETALON”. Operacioni nga DVP Gjirokastër në bashkëpunim me DVP Durrës. Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vjedhjes me dhunë e banesës së shtetasit H. R., ndodhur në Memaliaj, mbrëmjen e datës 04.01.2020. Vihen në pranga 3 nga autorët, si dhe 1 tjetër shpallet në kërkim. Sekuestrohen 1 automjet, një pjesë e lekëve të vjedhura dhe 4 celularë. Gjithashtu, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan dy doza me lëndë narkotike kokainë. DVP Gjirokastër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, Stacionin e Policisë Memaliaj, Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe DVP Durrës, pas një pune të mirëorganizuar hetimore për zbardhjen, dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vjedhjes me dhunë të banesës së shtetasit H. R., finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “ETALON”. Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit: E. A., 23 vjeç, A. R., 22 vjeç dhe F. R., 28 vjeç, banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim 1 shtetas tjetër dhe vijon puna për kapjen e tij. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 04.01.2020, kanë hyrë në banesën e shtetasit H. R., në Memaliaj, ku kanë vjedhur me dhunë një sasi lekësh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, një pjesë e lekëve të vjedhura dhe 4 celularë. Gjithashtu, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan dhe dy doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Zbardhja e ngjarjes në kohë, si dhe kapja e autorëve, u bë falë një pune të mirëorganizuar nga një grup i posaçëm hetimor i DVP Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, si dhe bashkëpunimit mjaft të mirë me DVP Durrës. Ky grup, me pseudonimin “Etalon”, dyshohet se ka kryer dhe një sërë vjedhjesh të tjera në qarqe të ndryshme, për të cilat vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 166 shtetas, konkretisht: 60 janë arrestuar, 9 janë ndalur dhe 97 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste në të gjithë territorin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 24 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”; 15 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 18 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 31 raste, 6 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 25 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 14 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar dhe proceduar 32 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.