Mega Operacioni ndërkombëtar antidrogë “Brezi i gjelbër”

Gjatë Mega Operacionit ndërkombëtar antidrogë “Brezi i gjelbër”, ku u angazhuan qindra forca policore në 7 qytete të vendit tonë si dhe në disa qytete të Greqisë, në total janë arrestuar 61 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Është sekuestruar mbi 1 ton lëndë narkotike Cannabis Sativa, mbi 1 kg kokainë e heroinë si dhe sasi të konsiderueshme vlerash monetare euro, dollarë e lekë, municion luftarak, peshore elektronike, automjete dhe aparate celulare.

Janë goditur nga tetori 2018 deri në mars 20019, 11 raste në Greqi dhe 4 raste në Shqipëri. Gjatë operacionit të djeshëm janë arrestuar 14 shtetas, u shpallën në kërkim 6 të tjerë si dhe u ekzekutuan 4 masa “Arrest në burg”, për 4 shtetas, të cilët ndodhen në burg për vepra të tjera penale.

Në tërësinë e operacionit janë arrestuar 5 shtetas grekë, 1 shtetas bullgar dhe 1 shtetase ruse, ndërsa 54 shtetas janë shqiptarë. Gjithashtu gjatë operacionit është evidentuar dhe goditur edhe një rast korrupsioni në sistemin e drejtësisë në prokurorinë e Gjirokastrës.