Llogara – Ndotën mjedisin duke hedhur mbeturina, procedohen penalisht 3 shtetas

Llogara/Vijojnë kontrollet intensive nga shërbimet e Policisë, në të gjithë qarkun, kryesisht në zonat e mbrojtura, për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Procedohen penalisht 3 shtetas (administratorë restorantesh), pasi kanë ndotur mjedisin, duke hedhur mbeturina, në vendin e quajtur “Qafa e Llogarasë”.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe ato të Stacionit të Policisë Dhërmi, bazuar edhe në informacionet e marra se disa shtetas hidhnin në vendin e quajtur “Qafa e Llogarasë”, mbeturinat e krijuara nga aktivitetet në restorantet që administronin, kanë ushtruar kontroll në këtë zonë.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar mbeturina të ndryshme, që dyshohet se janë hedhur nga administratorët e 3 subjekteve (restoranteve) në zonën e Llogarasë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet proceduralet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 administratorët e subjekteve, shtetasit B. D., T. D. dhe G. D, të tre banues në Dukat.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se kanë krijuar ndotje në këtë zonë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur në misionin e saj, për evidentimin e çdo veprimtarie të paligjshme që ndot mjedisin dhe ndëshkimin e shtetasve përgjegjës.