Policia ka ndëshkuar me nga 1 milion lekë gjobë, administratorët e katër lokaleve, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë , në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar 4 restorante dasmash në Lezhë dhe Ishull Lezhë që vazhdonin të ushtronin aktivitet duke organizuar dasma në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar nga Policia e Shtetit.
Për secilin nga këto subjekte, me administratorë shtetasit M.B., Y.Z., E.U. dhe E.Z.,shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Policia e Lezhës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.