Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 31 kilogramë kanabis sativa, 2 automjete, 2 aparate celulare dhe targa automjetesh.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Kruja në drejtim të Fushë Mamurrasit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Adriatiku”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:
R. M., 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe D. L., 44 vjeç, banues në Krujë.
Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit S. K., 24 vjeç, banues në Krujë.
Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, në oborrin e banesës së shtetasit R. M., i cili do të blinte lëndën narkotike që e kishin transportuar nga Kruja, shtetasit D. L. dhe S. K. Ky i fundit ka mundur të largohet në momentin e ndërhyrjes së Policisë.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. M. do ta shiste lëndën narkotike në doza, në qarkun e Lezhës.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitje të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.