Lehtësimi i lëvizjes në Pikat Kufitare/Veliu inspekton Morinën dhe aeroportin e Kukësit

Lehtësimi i lëvizjes në Pikat Kufitare/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit inspekton Morinën dhe aeroportin e Kukësit

Mesditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit Eduart Merkaj, ka inspektuar Pikën e Kalimit Kufitar Morinë dhe më pas aeroportin ndërkombëtar “Zayed Flatrat e Veriut”, në Kukës.

Në fokusin e inspektimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ishin krijimi i lehtësirave ligjore për hyrjen e turistëve dhe pushuesve, rritja e cilësisë së shërbimit në PKK Morinë dhe në aeroportin e Kukësit, si dhe intensifikimi i kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, Zija Sula ka informuar Drejtorin e Përgjithshëm se përgjatë sezonit turistik ka pasur dhe vijon të ketë fluks shumë të madh të turistëve dhe pushuesve që vijnë vendin tonë. Vetëm gjatë muajit korrik 2021 janë përpunuar në hyrje-dalje në PKK Morinë rreth 1.2 milionë shtetas dhe 356 mijë mjete, 3 herë më shumë mjete dhe qytetarë krahasuar me korrikun e vitit 2020.

Në Morinë, Drejtor Veliu ka parë nga afër kontrollin e përbashkët të Policisë Kufitare dhe asaj të Kosovës, aplikimin e procedurës së përshpejtuar, me qëllim eliminimin e vonesave, të cilat shpeshherë kanë sjellë radhë të gjatë në hyrje e në dalje në Morinë. Ai ka përgëzuar punonjësit e Policisë Kufitare dhe ata të Policisë kosovare, për bashkëpunimin mjaft të mirë mes tyre, çka ka sjellë lehtësim akoma më shumë dhe shërbim akoma më cilësor për pushuesit, turistët dhe gjithë qytetarët që përdorin Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës.

“Kryeni detyrën me përkushtim, ndershmëri dhe etikë me qytetarët, duke iu ofruar shërbim cilësor e ligjor, pasi jeni kontakti i parë që marrin turistët kur hyjnë në vendin tonë, ndaj duhet të jemi shembull në komunikim e veprim në zbatim të kuadrit ligjor dhe të masave lehtësuese që Policia e Shtetit ka marrë në kuadër të sezonit turistik”, – theksoi z. Veliu.

Më pas, Drejtori ka zhvilluar një takim të shkurtër me drejtuesit e DVP Kukës, të cilëve iu ka kërkuar angazhim maksimal për krijimin e një ambienti sa më të sigurt gjatë sezonit turistik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim, parandalimin dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve, si dhe rritje të cilësisë së shërbimit.

Gjithashtu, ai ka inspektuar aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, ku ka parë nga afër veprimet e punonjësve të Policisë gjatë hyrje-daljeve të turistëve dhe qytetarëve që qarkullojnë nëpërmjet këtij aeroporti. Z. Veliu iu ka kërkuar drejtuesve të Policisë Kufitare që krahas zbatimit të masave lehtësuese në pikat e kalimit, vëmendje e veçantë të tregohet duke intensifikuar kontrollet dhe patrullimet edhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

#SezontëSigurt
#MëShumëShërbime