Kurbin, Lezhë – Policia e Kurbinit parandalon një ngjarje të mundshme kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjormë”

Qarkullonte me armë zjarri kallashnikov me vete, vihet në pranga 52-vjeçari.

Gjatë operacionit, 52-vjeçarit iu gjet në banesë edhe një tjetër armë zjarri kallashnikov dhe një sasi fishekësh luftarak.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri, dy karikatorë dhe 413 fishekë luftarak.

Në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, efektivët e Policisë të Komisariatit Kurbin, si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative se në fshatin Gjormë, Kurbin, një shtetas qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar punën për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.

Mbi bazën e këtyre informacioneve u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Gjormë”, në kuadër të të cilit, në afërsi të shkollës së fshatit, u kap në flagrancë 52-vjeçari B. H., banues në Gjormë, Kurbin, i cili qarkullonte me armë zjarri kallashnikov me një krehër me 28 fishekë luftarak.

Më pas, operacioni ka vijuar në banesën e tij, ku gjatë kontrollit Policia gjeti edhe një tjetër armë zjarri kallashnikov, me një krehër me 30 fishekë dhe 355 fishekë të tjerë luftarak.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 52 vjeç, banues në Gjormë, Kurbin, i cili kishte tre muaj që kishte dalë nga burgu, pasi kishte kryer dënimin e dhënë në vitin 2013, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.