Sekuestrohen kompiutera, tavolina pokeri, çipsa dhe letra bixhozi.
Vihet në pranga 35-vjeçari që kishte marrë me qera lokalin dhe organizonte lojra fati.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin në bashkëpunim me shërbimet policore të DVP Lezhë, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit, si dhe duke u bazuar në informacione policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Monitorët” duke bërë të mundur goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. Sh., 35 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient magazinë të cilën e kishte marrë me qera, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 3 kompjutera si ato të lojëra të fatit në gjëndje të ndezuar, një tavolinë pokeri, një valixhe me 300 çipsa brenda dhe tre pako letra bixhozi.
Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.