Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjorëm”.
Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 51-vjeçari.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, shërbimet e Policisë kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin. Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri me vete, forca e posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Kurbinit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjorëm”.
Në kuadër të operacionit është bërë lokalizimi i personit të dyshuar i cili ishte futur në një lokal në fshatin Gjorëm, Kurbin.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit O. R., Policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një krehër me 7 fishekë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. R., 51 vjeç, banues në Kurbin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.