Njëri nga të arrestuarit nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar mjetin.
Efektivët e DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë vijuar kontrollet për këtë qëllim. Gjatë kontrolleve, në vendin e quajtur “Ura e Drinit të Zi”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. C., i cili nuk i është bindur urdhrit të tyre, por është larguar duke braktisur automjetin, në afërsi të të cilit u konstatuan disa emigrantë të paligjshëm.
Forcat “Shqiponja” janë vënë në ndjekje dhe kanë bërë të mundur kapjen e tij në tentativë për t’u larguar në drejtim të Tiranës, me një automjet tip” Benz”, me drejtues shtetasin L. A.
Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi K. C. do t’i ndihmonte emigrantët e paligjshëm që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit, ndërsa shtetasi L. A. dyshohet se kishte rolin e shoqëruesit, me automjetin e tij.
Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit K. C., 28 vjeç, banues në Krujë dhe L. A., 25 vjeç, banues në Krujë.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.