Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Kepi”.
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kukës në bashkëpunim me DVP Kukës .
Vihen në pranga kryeplaku i fshatit Gurë- Kalis, djali dhe vëllai i tij, si autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Procedohet në gjendje të lirë inspektori i pyjeve, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Kukës në bashkëpunim me DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kepi”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit, M. M., 50 vjeç, kryeplak i fshatit Gurë-Kalis, E. M, 24 vjeç, dhe U. M., 38 vjeç ( person me precedent penal), banues në Gurë-Kalis, Kukës.
Në vendin e quajtur “Kepi i kishës”, këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kishin kultivuar bimë narkotike, të cilat u asgjesuan me anë të djegies dhe disa fidanë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë inspektori i Pyjeve, shtetasi I. P., për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.