Krujë – Goditet një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së narkotikëve

Finalizohet nga Policia e Krujës, në bashkëpunim me SHÇBA-në operacioni policor antidrogë i koduar “Noja”.

Sekuestrohen 16 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa.

Arrestohet në flagrancë poseduesja e lëndës narkotike dhe shpallet në kërkim djali i saj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me SHÇBA-në në DVP Durrës, pas informacioneve të grumbulluara se në një banesë, në fshatin Nuaj kishte lëndë narkotike organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Noja”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja:

D. M., 47 vjeçe, banuese në Krujë dhe u shpall në kërkim djali i saj shtetasi C. M., 27 vjeç.

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi Xh. M., 73 vjeç, banues në Krujë.

Gjatë kontrollit në banesën e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kg lëndë narkotike, e dyshuar si Cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.