Korçë – Vodhën një sasi të konsiderueshme me bimë medicinale në një kompani private eksporti, vihen në pranga 4 autorët e dyshuar të ngjarjes

Vodhën një sasi të konsiderueshme me bimë medicinale në një kompani private eksporti, vihen në pranga 4 autorët e dyshuar të ngjarjes.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 17 thasë me bimë medicinale dhe një sasi lekësh.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e vjedhjes së pronës, bënë të mundur dokumentimin e ngjarjes së ndodhur një ditë me parë në lagjen nr. 1, Korçë, në një kompani private, ku u vodh një sasi e konsiderueshme me bimë medicinale.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasit D. K., 31 vjeç, K. D., 27 vjeç, XH. K., 26 vjeç dhe G. E., 38 vjeç, banues në Korçë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në kompaninë private të eksportit të bimëve medicinale në pronësi të shtetasit Gj. Ç., 59 vjeç, banues në Korçë, një sasi të konsiderueshme me bimë medicinale.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 17 thasë me bimë medicinale dhe një sasi lekësh.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i katër shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.