Korçë – Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana, strukturave të Hetimit të Krimit në DVP Korçë dhe Policisë greke u bë e mundur kapja e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar në Greqi dhe ekstradimi i tij nëpërmjet Pikës Kufitare të Kapshticës

Gjithashtu nga shërbimet e DVP Korçë kapet një shtetas tjetër në kërkim kombëtar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Korçë dhe shkëmbimit të informacioneve me homologët grekë, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Greqi e shtetasit Bernard Bylykbashi, 51 vjeç, banues në fshatin Lumalas, Korçë, si edhe ekstradimi i tij në drejtim të vendit tonë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr. 190, datë 26.04.2012, e ka dënuar shtetasin e mësipërm me 5 vjet burg, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” due “Kalimi i paligjshëm i kufijve”.

Gjithashtu nga Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Korçë, falë informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe veprimeve të mirëorganizuara, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim A. D., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendim nr. 304, datë 18.07.2016, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.