Konferencë e përbashkët “Shqipëria pa kanabis”

FJALA E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT DREJTUES MADHOR ARDI VELIU
ME DEPARTAMENTIN E SIGURISË PUBLIKE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË ITALISË PËR LUFTËN KUNDËR KULTIVIMIT TË KANABISIT

I nderuar Shkëlqesi Ambasador!
I nderuar zoti Spina!
I nderuar zoti Arbore!
Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës!

E kemi organizuar këtë konferencë së bashku me kolegët dhe partnerët italianë, me qëllim evidentimin e pasqyrimin e rezultateve dhe arritjeve të përbashkëta për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2020.

Policia e Shtetit edhe gjatë këtij viti u angazhua maksimalisht në përmbushjen e detyrave të përcaktuara në Planin Kombëtar të Veprimit Kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017 – 2020 të miratuar nga Qeveria Shqiptare.

Mbështetur në këtë dokument strategjik, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe strukturat e saj hartuan plane masash e operacionale, kombëtare dhe vendore “Për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike”. Theksi kryesor u vu në përpjekjet dhe punën e përbashkët ndërinstitucionale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, por edhe identifikimin, zbulimin dhe shkatërrimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale aktive në fushën e kultivimit dhe të trafikimit të kanabisit. Ne synuam rezultate të qëndrueshme dhe të qenësishme, me qëllim nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e vendeve të rëndësishme për kultivimin e trafikimin e kanabisit.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese dhe me institucionet e përcaktuara në Planin Kombëtar të Veprimit, u angazhua në një operacion të gjerë dhe të kombinuar, për identifikimin e hershëm dhe goditjen që në gjenezë të përpjekjeve për kultivim apo trafikim.

Që në muajin janar nisëm punën me identifikimin dhe analizimin e problematikave të evidentuara gjatë vitit 2019, por edhe në vitet e mëparshme. Mbi bazën e kësaj analize u hartua një plan masash i detajuar, duke u përqendruar në këto drejtime kryesore:

1. E para në parandalimin e këtij fenomeni, duke ndërmarrë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për qytetarët;
2. Në kontrollin e pandërprerë të territorit, duke goditur rastet e evidentuara që në gjenezë, pra që në momentet e para të tentativës për kultivim;
3. Në identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale, duke çuar para drejtësisë personat përgjegjës;
4. Në bashkëpunimin me pushtetin vendor, Ministrinë e Mbrojtjes dhe gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në Planin Kombëtar të Veprimit;
5. Në bashkëpunimin ndërkombëtar, kryesisht me partnerët italianë;
6. Si dhe identifikimin e ndëshkimin e punonjësve të administratës dhe ata brenda radhëve të Policisë që neglizhojnë, shpërdorojnë detyrën apo bëhen palë me ata persona të kultivojnë apo trafikojnë bimë narkotike.

I kushtuam rëndësi të veçantë në strategjinë tonë, përfshirjes së gjerë të publikut në procesin e informimit, nëpërmjet sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit, duke krijuar mundësi praktike për sigurimin e informacionit nga qytetarët.

Në këtë kuadër, u zhvilluan takime sensibilizuese, konferenca, prononcime për shtyp etj., ku kontributin më të madh në drejtim të sensibilizimit të komunitetit e dhanë institucionet arsimore. U krijuan dhe funksionuan periodikisht task-forcat qendrore dhe vendore. Morën përgjegjësi të gjithë institucionet shtetërore, administratorët e njësive vendore, bizneset private, punonjësit e zjarrfikëseve, Policia Bashkiake apo Shërbimi i Privat i Sigurisë Fizike.

Nuk duhet të harrojmë se viti 2020 kishte specifikat e veta. Kaluam dhe jemi në një pandemi globale dhe sigurisht detyrat e Policisë ndryshuan për sa i përket angazhimit dhe prioriteteve si dhe u kufizuan objektivisht nga risku që ishte i pranishëm për çdo qenie njerëzore.

Krahas sensibilizimit, filloi kontrolli periodik i territorit në funksion të identifikimit të sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike. Siguruam informacion dhe goditëm kultivimin me fidanë dhe kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa në sera diellore, tunele të braktisura, ish rezerva shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm, për përdorim nga grupet kriminale.

Ndarja e zonave të kontrollit dhe të përgjegjësive, duke organizuar grupe përgjegjëse për territore konkrete, që nga qendra deri në bazë, ku çdo punonjës policie kishte përgjegjësi për një territor të caktuar, ishte një tjetër masë efikase.

– Në total për vitin 2020, Policia e Shtetit realizoi gjithsej 143.844 kontrolle duke kryer 413.357 orë shërbimi;
– U intensifikua kontrolli i territorit nëpërmjet flotës së dronëve të policisë. Për vitin 2020 janë përdorur 38 dronë, nga 24 dronë që ka qenë flota e tyre për vitin 2019;
– U përdorën në mënyrë efikase për monitorim ajror edhe helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes. Për këtë vit janë kryer 90 orë fluturimi, ndërsa në vitin 2019 ishin 60 orë fluturimi.

Ndërtuam harta digjitale të sipërfaqeve të tokave, pyjeve dhe kullotave, ku ishin kultivuar bimë narkotike përgjatë viteve, ose potencialisht mund të kultivoheshin bimë narkotike gjatë vitit 2020. Vazhdoi implementimi dhe funksionimi i sistemit elektronik “GIS – NARKOTIK” i Policisë së Shtetit. Ky sistem na siguroi të dhëna të plota dhe na mundësoi raporte analitike për:

– Kontrollin e territorit;
– Informacionet e dërguara nga agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe ndjekja e këtyre informacioneve;
– Raportet e monitorimit ajror dhe e ndjekjes në terren të këtyre të dhënave;
– Rastet dhe vendet e kultivimit të bimëve narkotike.

E rëndësishme ishte marrja, vlerësimi dhe ezaurimi i informacionit policor, pasi nëpërmjet orientimit të burimeve të informacionit, Policia ndërtoi punën e saj, kontrolloi persona me precedentë kriminalë dhe filloi hetime proaktive.

– Për vitin 2020 u morën dhe u trajtuan 4376 informacione policore për kultivim të bimëve narkotike ose 148 më shumë se një vit më parë;
– U ndoqën 131 përgjime parandaluese për subjektet e dyshuara për veprimtari kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, 49 më shumë se një vit më parë;
– Gjithashtu u referuan 109 procedime proaktive me metoda speciale të hetimit për kultivim të bimëve narkotike dhe u realizuan 38 prej tyre ose 33 procedime me shumë se një vit më parë;
– U evidentuan 11 raste të sekuestrimit të farave të bimës narkotike cannabis sativa ku u sekuestruan 14.877 fara të bimës kanabis sativa, ose 7 raste dhe 6060 fara me shumë se viti i kaluar.

Një drejtim tjetër i punës tonë ishte forcimi i kapaciteteve e njësive të specializuara për luftën kundër drogës nëpërmjet trajnimit, vlerësimit të informacionit dhe pajisjes me mjetet e nevojshme.

I kemi kushtuar vëmendje të veçantë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke e parë fenomenin e kanabisit si një shqetësim real rajonal dhe ndërkombëtar. Kemi vendosur tashmë standardin e bashkëpunimit nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe informacionit me policitë e rajonit.

Ajo që bie në sy për shkak të mënyrës së bashkëpunimit dhe arritjes së suksesit është bashkëpunimi me partnerët italianë.

Ndaj gjej rastin dhe më lejoni sot këtu që të falënderoj përzemërsisht Qeverinë Italiane, Ministrinë e Brendshme dhe taksapaguesit italianë, që bujarisht kanë dhënë kontributin dhe ndihmën e tyre të çmuar për popullin dhe Policinë e Shtetit Shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve. Falënderoj gjithashtu Departamentin e Sigurisë Publike, misionin Interforza, Guardia di Finanza-n dhe gjithë kolegët italianë të angazhuar në këtë luftë të përbashkët.

Ky bashkëpunim gjatë këtij viti u konkretizua me marrëveshjen që u nënshkrua me Guardia Di Finanza-n “Për ndjekjen në vijimësi të zbatimit të Protokollit – Operativ miratuar më datë 16.05.2012 nga Ministria e Brendshme e Italisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit “Për Mbështetje të Strategjisë Anti Kanabis – Mbikëqyrje Ajrore 2017-2019”, për “Parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për vitin 2020”.

Në muajin qershor të vitit 2020, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. Janë kryer gjithsej 67 misione fluturime monitorime ajrore me 185 orë. Në total për vitin 2020, nga monitorimet ajrore janë identifikuar e asgjësuar 58.423 bimë narkotike cannabis sativa, ndërsa në vitin 2019 u identifikuan e asgjësuan 25.719 bimë ose 32.704 bimë më shumë.

Punë të pandërprerë kemi bërë për goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet zhvillimit të veprimeve operacionale për asgjësimin e bimëve narkotike dhe kryerjes së veprimeve procedurale për dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.

– Evidentuam 577 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike, nga të cilat 505 janë raste kultivimi dhe 109 procedime proaktive.
– Janë implikuar 468 shtetas, janë arrestuar e ndaluar 284 shtetas.
– Janë konstatuar e janë asgjësuar 137.216 bimë narkotike, nga të cilat 18.828 në kubikë.

Në të njëjtën periudhë të vitit 2019 janë:
– Evidentuar 453 vepra penale, nga të cilat 409 raste kultivimi dhe janë procedime proaktive;
– Janë implikuar 507 shtetas, janë arrestuar e ndaluar 357 shtetas;
– Janë konstatuar janë asgjësuar 90175 bimë narkotike, nga të cilat 14886 në kubikë.

Gjatë këtij viti në ndryshim nga vitet e mëparshme tendenca ka qenë kultivimi në zonat e thella malore, në pyje dhe në sipërfaqe të vogla.

Rezultat të ndjeshëm na dha puna efikase për parandalimin, identifikimin, zbulimin dhe goditjen e grupeve kriminale të trafikimit të kanabisit dhe aseteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Pavarësisht nga sa shpreha më lart, do të ishte e pakuptimtë dhe puna e Policisë së Shtetit do të konsiderohej gjysmake nëse ajo nuk do t’i kushtonte të njëjtën vëmendje si goditjes së kultivimit të bimëve narkotike edhe fazave të tjera të veprimtarisë kriminale, goditjes së trafikimit të saj dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga kjo veprimtari.

Gjatë periudhës referuese në bazë të statistikave të kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 37%, nga 1447 kg e 982 gr. vitin e kaluar, në 911 kg e 500 gr. këtë vit. Mungesa e lëndës narkotike në treg është reflektuar edhe në çmimin e saj, i cili është rritur nga 800-900 euro për kg në 2019 në 1400-1500 euro për kg në 2020.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ajo që në themel e bëri të suksesshëm punën tonë këtë vit, ishte integritetit i punonjësve të Policisë të ngarkuar me detyra në fushën e parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe vendosmëria për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që do abuzonte me detyrën apo do bëhej palë me shkelësit e ligjit.

Me vendosmëri reaguam ndaj çdo konstatimi të moszbatimit të detyrave funksionale, implikimi apo shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit. Si rezultat gjatë vitit 2020 u përjashtuan 3 punonjës nga Policia dhe janë ndjekur penalisht 17 punonjës policie që janë përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të bimëve narkotike. Gjithashtu janë dhënë 72 masa për shkelje të rënda disiplinore, 71 masa për shkelje të lehta disiplinore, si dhe janë transferuar 11 punonjës policie në nivele drejtuese.

Gjithashtu, shembull i vendosmërisë së punës tonë, për plotësimin e detyrimeve të Planit Kombëtar të Veprimit në luftë ndaj kanabisit, është edhe procedimi penalisht i 206 zyrtarëve vendorë, administratorë të njësisë administrative, kryetarë fshati dhe inspektorë të shërbimit pyjor, roje ujësjellësi etj., për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.

Serioziteti i analizimit dhe vlerësimit të situatës, gjetja e rrugëve efikase të bashkëpunimit me të gjithë faktorët dhe aktorët, bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht ata italianë, bëri që gjatë vitit 2020, kultivimi i kanabisit në Shqipëri të shkonte në shifrat më minimale përgjatë tre dekadave të fundit.

Aktualisht jemi duke zbatuar operacionin kundër kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2020, me përfundimin e të cilit ne synojmë minimizimin akoma më tej të rasteve të kultivimit dhe të trafikimit të bimëve narkotike.

Për Policinë e Shtetit viti 2021 është një sfidë e madhe, pasi do të kemi përpara disa zhvillime, të cilat kërkojnë impenjim maksimal, devotshmëri dhe profesionalizëm, veçanërisht për të bërë të mundur ndjekjen dhe menaxhimin e shërbimeve për ofrimin e parametrave optimale në fushën e rendit e të sigurisë publike, para, gjatë dha pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, për masat ndaj pandemisë COVID-19, si dhe gjatë sezonit turistik.

Me masat që kemi marrë dhe po zbatojmë, si dhe duke vlerësuar treguesit që kemi arritur, në drejtim të goditjes së kultivimit të kanabisit, ne jemi të bindur se edhe gjatë këtij viti do të përmbushim prioritetin tonë dhe të Qeverisë Shqiptare, pasi Policia e Shtetit i ka të gjitha mundësitë ta bëjë këtë.

Ju faleminderit për vëmendjen!