Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi i pandërprerë mes Interpol Tirana dhe homolgëve, për kapjen me qëllim ekstradimi të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar

Një tjetër i kërkur bie në prangat e Policisë belge falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Interpol Tirana dhe Policisë belge.

Nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Belgjika drejt vendit tonë i shtetasit Kristjan Demçe, 43 vjeç, banues në Lushnjë.

Autoritetet policore belge, pas shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me Policinë shqiptare, nëpërmjet Interpol Tirana bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit K. D., me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.

Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Shtetasi Kristjan Demçe në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, në vitin 2014, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike cannabis sativa, në rrugë ajrore nga Shqipëria në Itali, me avionin e shtetasit italian G. R.