Himarë – Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Late-night”

Zbulohet një lokal nate në plazhin e Potamit, i cili ishte përshtatur për shitje të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.

Arrestohet pronari i subjektit, i cili gjithashtu posedonte pa leje, armë sportive (pistoletë).

Vihet në pranga dhe një punonjës në këtë lokal.

Sekuestrohen 150 doza Kokaine, 8 doza Cannabisi, arma sportive, 2 celularë dhe 1 peshore elektronike.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, se në një lokal nate në plazhin e Potamit, shiteshin lëndë narkotike, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë finalizuan operacionin e koduar “Late-night”.

Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë, në ambientet e subjektit, mundësoi arrestimin në flagrancë të pronarit, shtetasit M. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë, dhe banakierit, shtetasit A. Gj., 20 vjeç, banues në Lazarat.

20-vjeçarit iu gjetën gjatë kontrollit fizik, 5 doza lënde të dyshuar narkotike Kokainë dhe 8 doza lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, ndërkaq, gjatë kontrollit në banesën e 33-vjeçarit, u gjetën 145 doza lënde të dyshuar narkotike Kokainë, 1 peshore elektronike, si dhe 1 armë sportive (pistoletë) që posedohej pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.