Policia e Shtetit hap fazën e aplikimeve për pranim në funksionin e veçantë Drejtor në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Aplikimet fillojnë më datë 19.06.2023 dhe përfundojnë më datë 21.06.2023.
Aplikimet bëhen në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kriteret e pranimit në funksionin e veçantë “Drejtor, në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, janë:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil”;
- Të ketë përfunduar arsimin e lartë;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
- Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
- Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në fushën e teknologjisë së informacionit;
- Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
- Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
- Të jetë pajisur me vërtetimin e besueshmërisë;
- Të plotësojë kriteret e tjera të veçanta.
Kritere të veçanta:
- Të ketë përfunduar ciklin e dytë të Arsimit të Lartë, në shkencat kompjuterike/elektronike.
- Të ketë njohuri të mira për aktet ligjore e nënligjore, aktet normative e administrative në fushën financiare, logjistikës, menaxhimit të personelit, politikave të trajtimit financiar të personelit.
- Të zotëroj gjuhën angleze me dëshminë përkatëse.
- Të ketë aftësi për të identifikuar dhe vlerësuar nevojat për ndryshim dhe përmirësim e problemeve në fushën e çështjet ekonomike.
- Të jetë i njohës i programeve kompjuterike.
- Të ketë të paktën 5 vite përvojë pune në fushën e teknologjisë së informacionit.
- Të ketë aftësi të punës në grup dhe aftësi të mira komunikimi dhe prezantimi.
- Të mos ketë pengesa ligjore për tu pajisur me certifikate sigurie personeli.
Aplikanti të paraqesë, në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, dokumentacionin e mëposhtëm:
- Formularin e aplikimit tip (bashkëlidhur këtij urdhri);
- Fotokopje të kartës së identitetit;
- Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit, trajnimeve përkatëse;
- Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
- Certifikatë e gjendjes gjyqësore;
- Certifikatë familjare;
- Vërtetim nga gjykata;
- Vërtetim nga prokuroria;
- Raport mjekoligjor;
- Fotokopje e librezës së punës;
- Dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike.
Punonjësi në funksionin e veçantë, “Drejtor, në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, kryen këto detyra:
- Asiston Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të gjitha çështjet që lidhen me projektimin, zhvillimin, mirëmbajtjen administrim dhe implementimin e teknologjive të reja informatike komunikimi, regjistrimi dhe përpunimi për Policinë e Shtetit, në përputhje me standardet e vendeve të zhvilluara perëndimore.
- Kryen detyra administrative, përfshirë planifikimin, organizimin, mbikëqyrjen dhe menaxhimin e të gjitha aspekteve të punës në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit dhe drejtoritë përkatëse.
- Monitoron aktivitetin e strukturave vartëse dhe kërkon prej tyre realizimin e detyrave ditore, periodike dhe afatgjata.
- Siguron përgjegjësi menaxhuese për asistim në koordinimin, përgatitjen dhe administrimin e buxhetit të planifikuar për Departamentin e Teknologjisë se Informacionit.
- Kryen veprimtari për mbikëqyrjen, menaxhimin funksionimin e strukturave që ka në varësi, për hartimin e implementimin e projekteve që kanë të bëjnë me informatizimin e proceseve të ndryshme dhe te aktivitetit të strukturave të Policisë së Shtetit.
- Harton informacione për strukturat eprore për problemet që lindin gjatë procesit të ndjekjes dhe implementimit te projekteve dhe propozon zgjidhje per realizimin e tyre.
- Siguron implementimin e teknologjive dhe sistemeve të informacionit që synojnë në rritjen e shpejtësisë dhe sigurisë së informacionit, duke realizuar trajnime të punonjësve që përdorin pajisjet e teknologjisë së informacionit dhe rinovim të teknologjive në përputhje me evolucionin në këtë fushë.
- Vendos e ruan marrëdhënie pune efektive duke koordinuar me struktura të tjera të Policisë së Shtetit, donatorë e misionet policore ndërkombëtare, me qellim zhvillimin e planeve strategjike që mbështesin qëllimet e objektivat afatshkurtra e afatgjata të Policisë së Shtetit.
- Koordinon e bashkëpunon me organizata dhe donatorë kombëtare e ndërkombëtarë në aspektin e negocimit e zbatimit të projekteve të ndryshme të teknologjisë dhe përpunimit të informacionit.
- Përfaqëson institucionin në grupet e përbashkëta ndërinstitucionale të punës, dhe vetëm brenda fushës së veprimit të autorizuar nga titullari i institucionit.
- Ngre, mbikëqyr apo kryeson grupe pune për realizimin e qëllimeve brenda fushës së veprimit të drejtorisë, apo në rastet kur caktohet nga eprorët, drejton, kontrollon e raporton në kohë për realizimin e detyrave dhe objektivave të caktuara.
- Kryen detyra për garantimin e integritetin dhe sigurisë së të dhënave të automatizuara personale dhe policore dhe të sistemit të përdoruesve.
- Përcakton kërkesat e drejtorisë për bazën materialo-teknike për krijimin e kushteve optimale të punës për realizimin e detyrave e objektivave të parashikuara dhe ia transmeton ato strukturave përgjegjëse.
Procesi i konkurrimit përfshin:
- Jetëshkrimi i aplikantit
Vlerësimi i arsimimit dhe trajnimeve të lidhura me veprimtarinë në fushën e njohurive dhe eksperiencën në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe referencat e punëdhënësve të mëparshëm (vlerësohet me 10 pikë);
- Testi me shkrim
Kontrollin e njohurive të aplikantit në test me shkrim (vlerësohet me 60 pikë). Aplikanti që nuk arrin të marrë 40 pikë në testin me shkrim nuk i nënshtrohet vlerësimit në intervistën me gojë dhe ndërpret procesin e vlerësimit;
- Intervista me gojë
Vlerësimi i njohurive dhe aftësive komunikuese, eksperiencë pune në lidhje me menaxhimin teknologjisë së informacionit, si dhe motivimin personal (vlerësohet me 30 pikë).
Në qoftë se asnjë kandidat nuk merr 60% të pikëve, Komisioni i Vlerësimit vendos përfundimin e konkurrimit pa asnjë fitues të përzgjedhur.