Vihen në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen qindra doza me lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve pranë DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale pranë DVP Elbasan dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, pas një punë hetimore disamujore proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gramsh 2022”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. B., 38 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë;
K. T., 33 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;
I. R., 59 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Moskallëzimi i krimit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit I. R., Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash me lëndë narkotike që i përkisnin shtetasit A. B., i cili në bashkëpunim me shtetasin K. T., i shpërndante kundrejt fitimit, në qytetin e Gramshit.
Gjithashtu, në momentin e ndalimit, shtetasit I. R. i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular që e përdorte për baste sportive online.
Po në kuadër të operaconit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. B., Policia gjeti qindra doza me lëndë narkotike dhe qese farmaceutike për paketimin e tyre, ndërsa në banesën e shtetasit K. T. gjeti një sasi fishekësh për armë zjarri dhe për armë gjahu.
Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej disa kohësh ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes/shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, me përdorues të ndryshëm, në qytetin e Gramshit.
Materialet proceduarale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.