Gjirokastër – Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim, procedohet penalisht 1 tjetër

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. Ç., 42 vjeç, banues në fshatin Hormovë, Tepelenë.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, me vendimin e datës 29.01.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”.

Shtetasi A. Ç. dyshohet se është autor i vjedhjes së një shume parash në një klinikë optike, ngjarje e ndodhur në muajin shtator të vitit 2021.

Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
———-

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë proceduan penalisht shtetasin D. N., 21 vjeç, banues në Memaliaj, pasi mbrëmjen e djeshme, në dalje të qytetit Memaliaj, ka qëlluar me armë sportive (me saçma), në rrugë, qenin e shtetasit S. D.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet tip “Ford Fokus”, një pushkë sportive dhe një kuti metalike, brenda së cilës u gjet një sasi me saçma pushke sportive.

Materialet në ngarkim të shtetasit D. N. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Keqtrajtimi i kafshës”.