Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “Fluksi”. Sekuestrohen 21 kg cannabis sativa.

Vihen në pranga 2 shtetas, si dhe një shtetas tjetër shpallet në kërkim.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe pas informacioneve të marra në rrugë operative, Policia e Gjirokastrës zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Fluksi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. M., 22 vjeç, banues në fshatin Karjan, Gjirokastër.

Dh. K., 48 vjeç, banues në Kotë, Vlorë.

Arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi gjatë mbasdites së djeshme, shtetasi K.M. është kapur në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij drejt kufirit Grek, dy çanta brenda të cilave kishte 21 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva si dhe lëndë narkotike e presuar në trajtën e cokollatës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet e kryera hetimore rezultoi se lëndën narkotike do ta transportonte për në shtetin Grek shtetasi Dh. K.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi J. K., si organizator i kësaj veprimtarie kriminale.

Po kështu gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K.M. u konstatuan të kultivuara disa bimë narkotike.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, gjithashtu për shtetasin K.M. u referuan materialet dhe për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.