Gjimnazistët e “Aristotelit”, vizitë në Policinë e Shtetit

Një grup i kufizuar nxënësish për shkak të masave anticovid, vizituan ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj.

Gjatë bashkëbisedimit me gjimnazistët, Drejtor Veliu i ka falënderuar ata për vizitën dhe iu ka uruar suksese në këtë vit shkollor. Veliu ka theksuar faktin se për shkak të pandemisë jemi të detyruar të zbatojmë masat parandaluese, një nga të cilat është përdorimi i detyrueshëm i maskës, gjë e cila nuk na pengon në përditshmërinë tonë, por na ndihmon duke na mbrojtur nga COVID-19. Ne nuk kemi qëllim të ndëshkojmë qytetarët duke vendosur gjoba, por kemi qëllim t’i shërbejmë mbrojtjes së shëndetit të tyre. Ndaj strukturat e Policisë së Shtetit, siç kanë monitoruar me rigorozitet zbatimin e masave anticovid, do vijojnë punën në terren edhe për këtë masë të re, të cilën jam i bindur se qytetarët do ta zbatojnë pa qenë nevoja e ndëshkimit me gjobë nga Policia.

Gjithashtu, gjatë vizitës maturantët janë njohur me punën dhe rezultatet e Policisë.

Drejtoresha e gjimnazit “Aristoteli” Entela Jorgji dhe nxënësit kanë vlerësuar punën e Policisë në drejtim të parandalimit dhe goditjes së krimit të organizuar, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë, shkollë e kudo.

Drejtori i Menaxhimit Skënder Doda dhe Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore Mitat Tola i kanë njohur nxënësit me mënyrën se si menaxhohet informacioni që vjen nga qytetarët, për ndihmë apo për denoncime, si dhe për masat e marra nga Policia Rrugore për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Në fund të takimit maturantja Ajris Isa ka përcjellë një mesazh mbështetjeje për Policinë e Shtetit dhe një thirrje për të gjithë bashkëmoshatarët dhe më të rriturit që të respektojnë masat anticovid, me qëllim që të mbrojmë njëri-tjetrin nga infektimi me këtë virus.

Gjatë takimit, nxënësve iu janë shpërndarë broshura sensibilizuese të Policisë Rrugore dhe materiale të tjera sensibilizuese.