Fondacioni “GJURMË” – Fjala përshëndetëse e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ku gjatë këtij aktiviteti Drejtor Veliu i dorëzoi fondacionit “GJURMË” çekun prej 4.000.000 lekësh.

I nderuar zoti Ministër,

I nderuar Kryetar i Bashkisë

E nderuar Kryetare e Komisionit të Sigurisë

Të nderuar përfaqësues të biznesit,

Të nderuar përfaqësues të fondacionit “GJURMË”,

Të nderuar familjarë të punonjësve të policisë të rënë në detyrë,

Të nderuar përfaqësues të medias, Të nderuar pjesëmarrës,

Kjo mbasdite, e ky takim, është shumë i veçantë, emocionues dhe sensbilizues. I veçantë pasi s’jemi mbledhur për të prezantuar rezultate a objektiva, por jemi mbledhur për të përkujtuar edhe njëherë kolegët tanë, sot “Dëshmorë të atdheut” dhe nëpërmjet kujtimit të tyre të sensibilizojmë humanizmin e qytetarëve për të bërë bashkërisht më shumë për familjarët e atyre që mbrojtën jetën me jetë.

Emocionues, pasi kujtimi i tyre sot vjen nëpërmjet një gjetjeje të spikatur, fondacionit “Gjurmë”, fondacion që drejtohet dhe menaxhohet nga vetë fëmijët e kolegeve tanë të paharruar. Organizata e Policisë së Shtetit është e vetmja organizatë që rrugën e saj të transformimit, rrugën për të siguruar rend e siguri, për të mbrojtur jetën me jetë e ka paguar shumë herë më shtrenjtë se çdo institucion tjetër ligjzbatues.

224 kolegë tanët sot janë dëshmorë, shumë të tjerë të plagosur, e po gjatë rrugës së jetës shumë janë lënduar e kanë sakrifikuar. Për këto sakrifica deri në sublim, për këto vlera njerëzore dhe për këtë çmim, kemi të drejtën morale të kërkojmë mbështetje të gjithanshme, me qëllim që sakrifica, mundi, përkushtimi e ndershmëria të jenë përherë të vlerësuara dhe të shpërblyera në çdo aspekt.

Qeveria dhe Ministria e Brendshme vitet e fundit i kanë kthyer sytë vërtet nga Policia e Shtetit duke na mbështetur me sa kanë qenë mundësitë, moralisht e financiarisht, por pa lënë pas dore edhe familjarët e kolegeve tanë të shtrenjtë, dëshmorëve të Policisë. Shumë prej fëmijëve të tyre sot janë në radhët e Policisë së Shtetit duke ndjekur rrugën e prindërve të tyre, disa të tjerë janë bërë specialistë dhe profesionistë të zotë në fusha të ndryshme.

Një pjesë e familjarëve janë të sistemuar edhe me banesa normale, por ka edhe një pjesë jo të vogël në vështirësi. E thashë që në fillim të fjalës që ky takim është edhe një mesazh i drejtpërdrejtë për të gjithë shoqërinë, për më shumë humanizëm, për më shumë mbështetje për familjarët e dëshmorëve të policisë e për më shumë besim e bashkëpunim me Policinë, për të krijuar një ambient sa më të sigurt.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në emër të Policisë së Shtetit dhe në emrin tim personal, më lejoni t’ju përcjell vlerësimet dhe falënderimet të gjithë përfaqësuesve të kompanive të biznesit, përfaqësuesve të medias dhe përfaqësuesve të institucioneve arsimore, për praninë në këtë ceremoni dhe për mbështetjen që keni treguar në vazhdimësi për fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, duke shprehur kështu vlerësimin ndaj sakrificës së tyre. Me këtë rast dëshiroj t’i përcjell fondacionit “Gjurmë” një donacion në vlerën e 4 milion lekë (të reja), kontribut i punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjej rastin të falënderoj çdo punonjës policie që i është përgjigjur thirrjes për të kontribuar.

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj kompanitë: Balfin Group, EHW, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, SFI, kompania ALBSIG, Sivig, Kastrati, Universitetin Europian të Tiranës, Shkollën Willson etj, të cilat vit pas viti kanë kontribuar në ndihmë të këtyre familjeve. Shpreh bindjen se mbështetja e të gjithëve për familjet e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, nga Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme, Qeveria dhe mbarë komuniteti, do të jetë gjithmonë e pakursyer.

Gjej rastin t’i uroj suksese fondacionit “Gjurmë” në rrugëtimin e tij dhe i garantoj se do të kenë gjithmonë mbështetjen e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit në përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë familjarëve të të rënëve, dyert e Policisë së Shtetit do të jenë gjithmonë të hapura për Ju.

Ju faleminderit!