Fier – Vijojnë kontrollet nga Policia e Fierit për monitorimin e zbatimit të masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ndëshkohet me masë administrative 3.000.000 lekë, një subjekt në Fier (Lounge Bar) pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.

Stukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000.000 lekë, shtetasin E. Sh, pronar i një subjekti Lounge Bar në Fier pasi është konstatuar duke organizuar event festiv në kundërshtim me Aktin Normativ.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo administrator lokali që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.