Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit gjatë prezantimit të forcës së posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier
I nderuar z. ministër Lleshaj,
I nderuar prefekt i qarkut,
Të nderuar kryetarë të Bashkive Fier, Lushnjë, Mallkastër, Roskovec, Patos dhe Divjakë,
E nderuar kryetare e qarkut,
Të nderuar përfaqësues të DAR-it dhe IKMT-së,
Të nderuar drejtues dhe kolegë të DVP Fier,
Takimet që kemi nisur dhe po i zhvillojmë në çdo Drejtori Vendore, për të prezantuar forcën e posaçme “Shqiponjat” nuk po i bëjmë as për të demonstruar forcë e as për të bërë shoë, por kemi një qëllim madhor, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me rendin dhe sigurinë e jetës e pronës së qytetarëve.
Në qarkun Fier, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të strukturave policore që operojnë në këtë qark, ka një ulje të ndjeshme të kriminalitetit krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar, ka një kontroll më të mirë dhe të plotë të territorit, rritje të forcës zbuluese dhe goditëse, çka tregon se është bërë një punë e mirë parandaluese.
Edhe në drejtim të sigurisë rrugore ka një ulje të aksidenteve me pasoja në jetën e njërëzve, pasi gjatë kësaj periudhe kemi 11 jetë të humbura më pak se viti i kaluar.
Bashkëpunimi me qytetarët, pushtetin vendor dhe institucionet është shumë i domosdoshëm dhe dobiprurës në punën tonë, pasi vetë misioni që ka Policia në tërësinë e tij ka në qendër të vëmendjes qytetarin dhe shërbimin ndaj tij.
Janë rreth 60 operacione policie të zhvilluara këto muaj falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë, për goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, si dhe për parandalimin e krimeve kundër personit etj.
Vlen për t’u përmendur parandalimi i një ngjarjeje të rëndë kriminale, e ndodhur në datë 15 të muajit të kaluar. Falë telefonatës së qytetarit, i cili kishte parë të lëvizte me armë në dorë në pedonale të qytetit një shtetas, u bë e mundur ndërhyrja në kohë dhe parandalimi i një vrasjeje të trefishtë, duke vënë në pranga autorin.
Ndaj prezantimi i kësaj force të re është një element sigurie më shumë dhe një faktor nxitës për rritjen e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Shtetit.
Tashmë forcat e posaçme “Shqiponjat” nuk janë më një skuadër, por falë mbështetjes së qeverisë, e cila mundësoi shtimin e organikës me 500 efektivë, u bë e mundur që sot në të gjithë Drejtoritë Vendore të Policisë të kemi një forcë të posaçme të kompletuar në strukturë, me mjetet dhe logjistikën e nevojshme.
Të nderuar kolegë,
Qytetarët presin nga ne shërbim më cilësor, performancë më dinjitoze dhe reagim më të shpejtë e ligjor ndaj shkelësve të ligjit.
Mos e shpërdoroni dhe mos e vrisni mbështetjen dhe besimin e qytetarëve, jepni më të mirën nga vetja në shërbim të tyre dhe zbatoni ligjin dhe vetëm ligjin duke qenë të vetëdijshëm se jeni shërbëtorë të ligjit dhe qytetarëve dhe jo padronë të tyre.
Kam bindjen se futja e të rejave dhe të rinjve nga viti në vit ka sjellë dhe do sjellë përmirësim të performacës dhe rritje të cilësisë së shërbimit dhe rritje të besimit të qytetarëve të Policia.
Duke përfunduar përgëzoj dhe falënderoj gjithë strukturat e DVP Fier, për angazhimin, profesionalizmin, përballimin e ngarkesës së punës dhe përmbushjen e detyrave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe ftoj qytetarët që të mbështesin më shumë Policinë dhe të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo paligjshmëri se vetëm bashkërisht ndërtojmë një ambient të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë
Faleminderit dhe suksese të gjithëve!