Fier – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Poçemi”

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Poçemi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

U kap duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë një shtetas.

Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, pas informacioneve të marra në rrugë policore se një automjet furgon tip “Benz” po transportonte klandestinë drejt Tiranës, finalizuan operacionin policor të koduar “Poçemi”, në përfundim të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. I., 47 vjeç, banues në Berat.

Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë në vendin e quajtur “Poçem”, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, 11 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.