Elbasan – Prezantohet forca e posaçme “Shqiponjat” e DVP Elbasan

Fjala e Drejtorit të Departamentit për Sigurinë Drejtues i Lartë Gjovalin Loka gjatë prezantimit të forcës së posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan

I nderuar z. ministër Lleshaj,
I nderuar prefekt i qarkut,
Të nderuar kryetarë të bashkive,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar drejtues dhe kolegë të DVP Elbasan,

Sot jemi në Elbasan dhe ky është takimi i 10-të që po zhvillojmë për të prezantuar Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, një forcë e krijuar rishtazi, falë mbështetjes së dhënë nga qeveria dhe Ministria e Brendshme. Së fundmi Policisë së Shtetit iu shtuan 500 funksione organike në strukturë, duke na dhënë mundësinë që të krijonim këtë forcë që radhitet ndër forcat elitë të Policisë, pasi Policia e Shtetit ka në strukturat e saj RENEA-n, FNSH-në, forcën e posaçme të kërkimit, të cilat janë forca operacionale për të ndërhyrë në raste të cenimit rëndë të rendit dhe sigurisë dhe për kapjen e peronave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Krijimi i forcës së posaçme “Shqiponjat” me këto vajza e djem të trajnuar, të aftë profesionalisht dhe të mirëpajisur me logjistikën e nevojshme, merr një rëndësi të veçantë, pasi kjo forcë është më afër komunitetit, një shërbim i përditshëm në terren, në shkolla në rrugë e kudo, të gatshëm për të ndërhyrë në situata që nuk menaxhohen dot nga Patrullat e Përgjithshme të Policisë.

Siç e ka përmendur edhe Drejtori i Përgjithshëm në takimet e radhës, qytetarët e kanë pranuar dhe e kanë mirëpritur krijimin e kësaj force, duke e demonstruar këtë me anë të mesazheve dhe telefonatave që kanë adresuar dhe ky është një ogur i mirë për Policinë, pasi të të përkrahë dhe besojë qytetari është motivimi i duhur për të bërë më të mirën në përmbushjen e prioriteteve tona.

Në qarkun Elbasan ka pasur një kriminalitet të theksuar vitet e shkuara, kriminalitet i trashëguar, por edhe në disa raste edhe i fryrë mediatikisht apo për qëllime të tjera, kriminalitet që ka ardhur në tkurrje falë përkushtimit dhe profesionalizmit të strukturave policore që operojnë në këtë qark. Është e vërtetë që ka pasur disa ngjarje kriminale që kanë pasur impakt te publiku, por nga ana tjetër ka pasur një reagim të shpejtë dhe profesional të strukturave të DVP Elbasan, të cilat në bashkëpunim me Prokurorinë kanë zbardhur ngjarjet dhe autorët i kanë vënë para drejtësisë.

Këtë vit është evidentuar një ulje e ndjeshme e veprave penale, por dhe një rritje e forcës zbulese dhe një kontroll më i mirë i territorit, është përballuar me sukses parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike. Falë angazhimit dhe bashkëpunimit me qytetarët, këtë vit qarku Elbasan ka numrin më minimal të fidanëve të kultivuar dhe të gjitha rastet e tentativës për kultivim janë goditur dhe autorët janë ndëshkuar sipas ligjit.

Për sa i përket Sigurisë Rrugore është e vërtetë që disa aksidente të ndodhura në akset rrugore kohët e fundit, siç ishte ai i katër ditëve më parë ku humbën jetën dy të reja, kanë krijuar perceptimin se aksidentet rrugore po shtohen, por në të vërtetë në harkun kohor janar – shtator, krahasuar me një vit më parë, kemi një ulje të numrit të aksidenteve, të personave të plagosur rëndë dhe lehtë, ndërsa numri i shtetasve që kanë humbur jetën është i njëjtë. Por duhet marrë parasysh edhe fakti që aksi Elbasan – Peqin – Rrogozhinë tashmë ka gati pesëfish më shumë mjete që qarkullojnë duke e përdorur si rrugë kalim për të hyrë në Tiranë. Po kështu kemi një fluks të shtuar edhe në aksin rrugor Elbasan-Librazh në drejtim të Korçës.

Të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal dhe të institucioneve, të nderuar qytetarë,

Policia e Shtetit, bashkëpunimin me qytetarët, pushtetin vendor dhe institucionet e konsideron shumë të domosdoshëm dhe dobiprurës në punën tonë, pasi vetë misioni që ka Policia në tërësinë e tij ka në qendër të vëmendjes qytetarin dhe shërbimin ndaj tij, por edhe shumë problematika kërkojnë zgjidhje të përbashkëta ligjore në interes të qytetarëve.

Edhe në qarkun Elbasan janë finalizuar dhjetëra operacione policie, falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë, për goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, si dhe për parandalimin e krimeve kundër personit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të shtetasve nga vendet e treta që hyjnë ilegalisht në vendin tonë.

Gjej rastin që të falënderoj qytetarët për mbështetjen dhe besimin e dhënë dhe t’i ftoj ata që ta mbështesin policinë e qarkut Elbasan, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt shoqëror. Prezantimi i kësaj force të re sot është një element sigurie më shumë dhe një faktor nxitës për rritjen e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Shtetit.

Të nderuar kolegë të forcës së posaçme “Shqiponjat”,

Qytetarët ju mirëpritën dhe po ju mbështesin, mos e shpërdoroni dhe mos e vrisni mbështetjen dhe besimin e qytetarëve, jepni më të mirën nga vetja në shërbim të tyre dhe zbatoni ligjin dhe vetëm ligjin duke qenë të vetëdijshëm se jeni shërbëtorë të ligjit dhe qytetarëve dhe jo padronë të tyre.

Së fundmi, edhe në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë në strukturat e DVP Elbasan dhe stafin drejtues të kësaj drejtorie, për angazhimin, profesionalizmin, përballimin e ngarkesës së punës dhe përmbushjen e detyrave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe ftoj qytetarët që të mbështesin më shumë Policinë dhe të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, se vetëm bashkërisht ndërtojmë një ambient të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Faleminderit dhe suksese të gjithëve!