“Zbatimi i rregullave të qarkullimit nga fëmijët, model për gjithë shoqërinë”.
Ashtu siç mëson të luash ⛹sport apo të luash muzikë 🎶 që në fëmijëri, ashtu dhe rregullat e qarkullimit 🚶♀🚶♂duhen mësuar që në bankat e shkollës.
Informimi dhe ndërgjegjësimi i fëmijëve që në moshë të vogël i shërben aftësimit të tyre për të kuptuar më mirë rreziqet kur kalojnë në rrugë.
Në këtë kuadër, Shefi i Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Adriatik Hudi, përgjatë javës, së bashku me shërbimet e Policisë Rrugore kanë zhvilluar takime sensibilizuese në formën e një bashkëbisedimi me nxënësit e gjimnazeve në gjithë Qarkun Elbasan, për t’i informuar mbi rregullat e qarkullimit rrugor dhe pasojat që vijnë nga moszbatimi i tyre.
Këto takime sensibilizuese, në të njëjtën kohë janë një investim afatgjatë për fëmijët, pasi shërbejnë si bazë për të rritur vetëdijen e tyre, në mënyrë që të dallojnë rreziqet kryesore në rrugë dhe përdorimin e saj në mënyrë më të sigurt.
Nëpërmjet fëmijëve, mund të ndërgjegjësohet e gjithë shoqëria për vlerën e jetës, por edhe për të kuptuar rëndësinë e angazhimit të Policisë për një shoqëri më të sigurt.
Fëmijët, të veshur me jelekët fosforeshentë të Policisë dhe të shoqëruar edhe nga punonjësit e Policisë Rrugore dhe ata të policimit në komunitet zhvilluan në rrugë orë praktike ndërgjegjësuese për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Në këtë kuadër, fëmijët shpërndanë fletëpalosje me mesazhe sensibilizuese për drejtuesit e mjeteve.
Gjithashtu, fëmijët u njohën me mjetet me të cilat punon Policia Rrugore, me rëndësinë që ka drejtimi i automjeteve me përgjegjësi dhe disa nga rregullat kryesore të qarkullimit rrugor për parandalimin e aksidenteve.