Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor “Xibraka”.
Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me forcat e posaçme “Shqiponja”.
Sekuestrohen rreth 33 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, automjeti ku u gjet lënda narkotike dhe dy aparate celular.
Vihet në pranga 47- vjeçari që posedonte dhe transportonte lëndën narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte një sasi lënde narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Xibraka”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
A. S., 47 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas u kap në fshatin Xibrakë, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd dhe gjatë kontrollit të mjetit tip “Fiat” që drejtonte ky shtetas, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 33 kg lëndë narkotike kanabis.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t”i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.