DVP Vlorë – Finalizohet operacioni policor “MIDNIGHT”

DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor “MIDNIGHT”, goditet një rast i shfrytëzimit të prostitucionit.
Arrestohet administratorja e lokalit ku organizohej kjo veprimtari kriminale dhe një shtetase që ushtronte prostitucion kundrejt pagesës.
Sekuestrohet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga ky aktivitet i jashtëligjshëm.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, pas një hetimi tre-mujor të zhvilluar me metoda speciale të hetimit, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua operacioni policor “MIDNIGHT”.
Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetaset:
•E. K., 41 vjeçe dhe E. Ç., 39 vjeçe, të dyja banuese në Vlorë.
Nga hetimet rezultoi se shtetasja E. K. shfrytëzonte për prostitucion kundrejt pagesës shtetasen E. Ç., me klientë të ndryshëm që frekuentonin lokalin që 41-vjeçarja administronte, në qytetin e Vlorës.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetases E. K., i është gjetur dhe sekuestruar një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga ky aktivitet kriminal, si dhe një dozë lëndë narkotike, e dyshuar kokainë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetaseve iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
https://youtu.be/e5zp37NIfGU