DVP Tiranë
Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga autori.
Në pranga dhe 8 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale, dy prej tyre të shpallur në kërkim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të territorit, kanë evidentuar dhe goditur 1 tjetër rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin “Mal Vilëz” Zall-Bastar.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. Gj., 59 vjeç. Gjithashtu, ky shtetas në momentin e ndalimit nga Policia, ka ofruar një shumë të konsiderueshme parash që mos kryheshin veprime në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin Vasfi Spaho, pasi Prokuroria e Rrethit Korçë, ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës Rrethit Korçë, ku i kanë mbetur për të vuajtur 5 vite burg për veprën penale “Mashtrimi”. Ekzekutimi i këtij vendimi do të bëhet nga DVP Korçë.
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. J., 37 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së tij, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike heroinë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë ndalimin e shtetasit K. H., 19 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. L., 27 vjeç, pasi në menyrë të vazhdueshme ka përndjekur ish-bashkëjetuesen e tij;
A(F)., D, 37 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është konstatuar jashtë banese.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin e shtetasit të mitur R. V., 17 vjeç, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti të çastit, ka dëmtuar me një mjet preres dy shtetas të mitur 15-vjeçar, të cilët ndodhën në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
I. D., 38 vjeçe, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur;
K. Z., 31 vjeç, pasi ditën e djeshme ka aksidentuar këmbësoren shtetasen R. M., 59 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Më datë 23.09.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasin P. S., 40 vjeç, pasi pranë fshatit Kuç, Vorë, u konstatua duke transportuar lëndë drusore të llojit dushk dhe elqer, të dyshuara të prera në mënyrë të paligjshme. U sekuestrua mjeti bashkë më lëndën drusore.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.