DVP Shkodër – Vihen në prangat e Policisë 3 shtetas (1 prej tyre i shpallur në kërkim) dhe procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale

DVP Shkodër

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vihen në prangat e Policisë 3 shtetas (1 prej tyre i shpallur në kërkim) dhe procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër u arrestua në flagrancë shtetasi B. D., 65 vjeç, banues në Malësi të Madhe dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit Z. N., 35 vjeç, Z. K., 37 vjeç, të dy banues në Shkodër K. Sh., 52 vjeç banues në Malësi të Madhe.

Shërbimet e Policisë, në vendin quajtur “Rapsh”, Hot, Malësi e Madhe, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Z. N., që po transportonte lëndë drusore pa dokumentacion. Pronari i lëndës drusore, shtetasi Z. K. i ka paraqitur punonjësve të Policisë, një vërtetim transporti të lëshuar për llogari të një subjekti me administrator shtetasin K. Sh. Pas verifikimeve rezultoi se ky dokument ishte lëshuar në kundërshtim me rregullat përkatëse, duke falsifikuar firmat, nga shtetasi B. D., përgjegjës i ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor pranë Bashkisë Malësia e Madhe.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit B. D., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar vërtetime transporti të tre viteve të fundit, që dyshohet se janë lëshuar në kundërshtim me rregullat përkatëse.

——
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. F., 18 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat” iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë të ftohta (doreza metalike), që i mbante pa leje.

Gjithashtu u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim K. Ç., 22 vjeç, banues në Shkodër, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka dënuar me 1 muaj burg për veprat penale “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.