Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tentuan të vidhnin në një lokal, por falë veprimeve të shpejta të Policisë, arrestohen në flagrancë 3 autorët.
Në pranga dhe një 23-vjeçar, për “Armëmbajtje pa leje”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë benë arrestimin e shtetasve I. B., 37 vjeç, P. A., 16 vjeç dhe E. D., 32 vjeçe, banues në Shkodër.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Lezhë, duke vjedhur me thyerje një lokal në aksin rrugor Lezhë-Shkodër.
Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë u bë arrestimi i shtetasit R. G., 23 vjeç, banues në Thumanë.
Ky shtetas është vetëplagosur me armë zjarri në këmbë, në automjetin e tij tip “Benz”. Aktualisht ndodhet nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit tip “Ruger” me një krehër me 5 fishekë, të cilën e mbante pa leje.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.