DVP Korçë/Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 1 tjetri

DVP Korçë/Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 dhe vijon puna për kapjen e 1 tjetri, për vepra të ndryshme penale.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin D. P., 31 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 6, Korçë, dyshohet se i ka vjedhur një sasi lekësh, një 36-vjeçari.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe po vijojnë punën për kapjen e një 15-vjeçari, banues në Korçë, pasi nga kontrolli i ushtruar rezultoi se kishte dalë jashtë banesës së tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”. Gjithashtu, po punohet për gjetjen e një 13-vjeçareje, banuese në Korçë, e cila dyshohet se është larguar bashkë me këtë shtetas.

-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 33 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi në një çantë dyshohet se kishte vendosur një sasi të vogël me lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për një 13-vjeçar, banues në fshatin Rakickë, Devoll, pasi në fshat, dyshohet se ka dëmtuar me mjete të forta, xhamin e mjetit kamion tip “Benz”, në pronësi të një 37-vjeçari.

-Më datë 19.02.2024, në Maliq, në varrezat publike të qytetit, janë vjedhur 5 vazo dekorative prej mermeri, që përdoreshin për të vendosur lule tek varret. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.