Specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. S., 32 vjeç dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. C., 47 vjeç, banues në Korçë.
Ditën e djeshme shtetasi D. S., duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, në lagjen nr. 1, Korçë, pasi është përfshirë në një aksident me dëme materiale, ka refuzuar kryerjen e alkooltestit dhe i ka kundërshtuar punonjësit e policisë gjatë shoqërimit të tij për në Komisariat. Gjithashtu 32-vjeçari, i ka ofruar oficerit të policisë rrugore 7000 lekë, me qëllim shmangien e kryerjes së alkooltestit.
Ndërsa shtetasi A. C., ka kryer veprime që pengonin zbulimin e së vërtetës, duke deklaruar se ishte ai në drejtimin e mjetit tip “Fiat”, në momentin e aksidentit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
———-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të shtetasit A. B., 62 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr.13, Korçë, ky shtetas ka kanosur me thikë shtetasin A. K., 30 vjeç, banues në Korçë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.